Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Tokios ka zbuluar mikrobe të gjalla brenda një thyerjeje shkëmbi 2 miliardë vjeçare, duke sfiduar kufijtë e njohur të mbijetesës së jetës. Ky zbulim, i publikuar në revistën “Microbial Ecology”, vërteton se jeta mund të mbijetojë në kushte ekstreme për periudha të jashtëzakonshme kohore.
Mostrat u morën nga Kompleksi Igneous Bushveld (BIC), në veri-lindje të Afrikës së Jugut, një zonë e pasur me minerale. Rreth 70% e platinit në botë vjen nga këtu. Për shkak të formimit të tij nga magma e ftohur ngadalë, BIC ka ruajtur kushte të qëndrueshme për jetën mikrobike për miliarda vjet.
Shkencëtarët nxorën një kampion shkëmbor 30 centimetra nga rreth 16 metra thellësi, dhe përmes analizave të avancuara, zbuluan mikrobe të izoluara në çarje, të mbrojtura nga shtresa balte, që i mbronin nga ndërhyrjet e jashtme. Shkëmbi, deri në 8.8 kilometra i trashë, ka mbetur kryesisht i patrazuar, duke siguruar një habitat ideal për mbijetesën e mikrobeve në shkallët kohore gjeologjike. Këta organizma kanë jetuar në lëvizje të ngadaltë, duke evoluar gjatë miliona viteve.
"Ne nuk e dinim se shkëmbinjtë e kësaj epoke mund të strehonin jetë: deri më tani, mjedisi më i vjetër në të cilin ishin gjetur mikroorganizmat e gjallë ishte një depozitë 100 milionë-vjeçare nën dyshemenë e oqeanit", tha profesori i Tokios, Yohey Suzuki, duke shpjeguar rëndësinë e zbulimit.
Këto organizma kanë mbijetuar në mënyrë të izoluar, pa ndërveprime me mjedisin e jashtëm, dhe konfirmimi se janë vendas u bë përmes teknologjive si mikroskopia elektronike dhe analiza e ADN-së.
Studiuesit përdorën një kombinim të spektroskopisë infra të kuqe, mikroskopisë elektronike dhe mikroskopit fluoreshent. Duke ngjyrosur ADN-në e qelizave dhe duke ekzaminuar proteinat dhe argjilën përreth, ata konfirmuan se organizmat ishin të gjallë dhe vendas në mostrën e lashtë. Balta luajti një rol kyç në ruajtjen e tyre , duke krijuar një pengesë natyrore që mbylli thyerjet dhe parandaloi shkëmbimet me mjedisin e jashtëm.
Zbulimi ka ndezur debatin për mundësinë që jetë e ngjashme të ekzistojë edhe në planetë të tjerë si Marsi, ku mjedise të ngjashme nëntokësore mund të kenë ruajtur organizma të lashtë. Sipas profesor Yohey Suzukit, ky studim mund të ndihmojë në analizimin e mostrave të ngjashme që po mblidhen aktualisht nga roveri Perseverance i NASA-s.
Mikrobet e zbuluara përfaqësojnë kapsula të gjalla kohe, që na ofrojnë një dritare unike drejt jetës në Tokën e hershme – dhe ndoshta, edhe përtej saj.
(A2 Televizion)