Ja cilët janë qytetet më tërheqëse në botë

Nga A2 CNN
23 Maj 2025, 09:55 | Lifestyle

Ja cilët janë qytetet më tërheqëse në botë

Nju Jorku, Londra dhe Parisi kryesojnë listën e qyteteve më tërheqëse në botë, sipas renditjes më të fundit të publikuar nga instituti prestigjioz britanik Oxford Economics. Treshja kryesuese dominon në ekonomi, kapital njerëzor dhe cilësi jete.

Renditja analizon pesë shtylla kryesore: ekonominë, kapitalin njerëzor, cilësinë e jetës, mjedisin dhe qeverisjen. Këto kritere kombinohen për të përcaktuar sa tërheqës është një qytet për investime, talent ndërkombëtar dhe zhvillim të qëndrueshëm, shkruan A2 CNN.

Sipas raportit Nju Jorku spikat për përqendrimin e industrive të fuqishme si financa, teknologjia dhe krijimtaria. Londra shkëlqen në tërheqjen e talenteve globale, falë universiteteve të saj prestigjioze dhe Parisi kryeson për cilësinë e lartë të jetesës.

Në dhjetëshen e parë përfshihen gjithashtu qytete si San Jose (Silicon Valley), Seattle, Melbourne, Sydney, Boston, Tokio dhe San Francisco.

Italia ka mbetur pas në këtë renditje, Milano është qyteti italian më i lartë i renditur, në vendin e 82-të, ndërsa Roma zbret më poshtë, në vendin e 112-të. Një rezultat që ka ngritur shqetësime mbi aftësinë e qyteteve italiane për të konkurruar globalisht në aspektin e zhvillimit dhe inovacionit, përcjell A2 CNN.

Ndër qytetet evropiane, Londra, Parisi dhe Dublini (në vendin e 13-të) udhëheqin listën, ndërsa kryeqytetet nordike si Stokholmi, Oslo dhe Kopenhagen vlerësohen për cilësinë e administratës publike dhe qeverisjen efikase. Zyrihu dhe Gjeneva gjithashtu marrin nota të larta në këtë drejtim.

Fakt interesant mbetet se Madridi është i vetmi qytet mesdhetar evropian në top 50, duke u renditur në vendin e 44-të. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos