Çohet në mëngjes dhe gjen një anije mallrash “të parkuar” në oborrin e shtëpisë

Nga A2 CNN
23 Maj 2025, 09:00 | Lifestyle

Çohet në mëngjes dhe gjen një anije mallrash

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Byneset, pranë qytetit Trondheim në Norvegji, ku një anije e madhe mallrash, 135 metra e gjatë, ka dalë nga kursi dhe është përplasur në breg, duke përfunduar në oborrin e një shtëpie private.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes, rreth orës 05:00 me orën lokale, shkruan A2 CNN. Pronari i shtëpisë, Johan Helberg, ka thënë për mediat se u zgjua vetëm kur fqinji i tij i alarmuar trokiti në derë. “Zilen nuk më pëlqen ta hap në atë orar”, tregoi ai për televizionin norvegjez TV2. “Kur pashë nga dritarja, mbeta i shtangur. Ishte një anije gjigande. Duhej të përkulesha që të shihja majën e saj”.

Çohet në mëngjes dhe gjen një anije mallrash

Helberg shtoi se anija ndaloi vetëm pesë metra larg dhomës së tij të gjumit. “Nëse do të kishte qenë pak më në jug, do të kishte hyrë në shtëpi”, tha ai për transmetuesin NRK. Fqinji i tij, Jostein Jorgensen, dëgjoi zhurmën dhe pa anijen që po lëvizte me shpejtësi drejt tokës. Ai nxitoi drejt shtëpisë së Helbergut për ta paralajmëruar.

Anija me flamur të Qipros, NCL Salten, kishte 16 persona në bord dhe po udhëtonte nëpër Fjordin e Trondheimit drejt Orkangerit. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua.

Çohet në mëngjes dhe gjen një anije mallrash

Shkaqet e incidentit nuk janë ende të qarta dhe autoritetet norvegjeze kanë nisur hetimet. Drejtori i përgjithshëm i kompanisë NCL e cilësoi si një incident të rëndë. Sipas mediave norvegjeze, kjo nuk është hera e parë që kjo anije del nga kursi – një incident i ngjashëm kishte ndodhur edhe në vitin 2023. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos