Në një nga zonat më të izoluara të Brazilit, në lokalitetin Serrinha dos Pintos, në veriperëndim të vendit, është zbuluar një përhapje shqetësuese e një sëmundjeje të rrallë neurologjike të quajtur sindroma Spoan, që prek një përqindje të lartë të popullsisë lokale. Kjo sëmundje është pasojë e traditës shumëvjeçare të martesave brenda fisit, një praktikë që ka çuar në trashëgiminë e mutacioneve të rrezikshme gjenetike ndër breza.
Sindroma Spoan, e identifikuar nga studiuesja Silvina Santos, shkakton dëmtime kronike të sistemit nervor, duke e bërë të pamundur ecjen dhe komunikimin normal për të prekurit. Sëmundja fillon që në fëmijëri dhe përkeqësohet me kalimin e viteve. Shkaku kryesor është lidhja martesore mes të afërmve, sidomos ndërmjet kushërinjve të parë dhe të dytë, për shkak të mungesës së migrimit dhe izolimit ekstrem të komunitetit.
Sipas Santos, mutacioni që shkakton këtë sindromë mendohet të ketë ardhur më shumë se 500 vjet më parë, përmes kolonëve të parë evropianë që mbërritën në Brazil, ndoshta hebrenj sefardë apo banorë nga Afrika e Veriut që iknin nga Inkuizicioni, shkruan A2 CNN.
Historia e familjes së Ines, një banore e zonës e martuar me kushëririn e saj të dytë, tregon pasojat e rënda të kësaj sëmundjeje: dy djemtë e saj, njëri 59 dhe tjetri 46 vjeç, vuajnë nga vështirësi të mëdha në të folur dhe të kuptuar. “Është e vështirë të kesh një fëmijë me nevoja të veçanta. I duam shumë, por vuajmë për ta”, tha ajo për BBC.
Edhe Larissa Queiroz, 25 vjeç, zbuloi vetëm pas martesës se burri i saj ishte një i afërm i largët. “Në Serrinha dos Pintos, në thelb të gjithë jemi kushërinj. Jemi të gjithë të lidhur me njëri-tjetrin,” rrëfen ajo. (A2 Televizion)