Kur arti mund luftën! Projekti unik që kthen armët në kryevepra

Nga A2 CNN
2 Shtator 2025, 13:24 | Lifestyle

Kur arti mund luftën! Projekti unik që kthen armët në

Ralph Ziman, artist dhe fotograf i njohur, ka kaluar dekada duke reflektuar mbi dhunën dhe pasojat e saj përmes artit. I lindur në Johannesburg të Afrikës së Jugut, Ziman tregon se që në moshë të vogël u përball disa herë me armët e zjarrit, përfshirë një moment dramatik në vitet ’70 kur një person i drejtoi atij dhe miqve të tij një pistoletë Magnum 45. “Kam qenë me shumë fat që shpëtova”, tregon ai për CNN, duke theksuar se kjo e bëri të mbante qëndrim të fortë kundër armëve.

Për më shumë se një dekadë, Ziman ka përdorur miliona rruaza tradicionale afrikane për të transformuar armët dhe mjetet ushtarake në vepra arti. Seria e tij “Weapons of Mass Production” filloi në vitin 2013 me krijimin e replikave të pushkëve AK-47, një simbol i çlirimit gjatë aparteidit që më vonë u kthye në armë krimi në Afrikën e Jugut, shkruan A2 CNN.

Në vitin 2016, ai dekoroi me rruaza një automjet Casspir, një mjet i blinduar i urryer gjatë aparteidit. Por projekti më ambicioz erdhi në vitin 2019: mbulimi i një avioni luftarak MiG-21 me mbi 35 milionë rruaza, një proces që zgjati më shumë se pesë vite dhe përfshiu mbi 100 artizanë nga komunitetet Ndebele në Afrikën e Jugut.

Kur arti mund luftën! Projekti unik që kthen armët në

Për Ziman-in, përdorimi i rruazave nuk ishte vetëm estetik. Ai donte të ngrinte në nivel arti këtë mjeshtëri tradicionale, duke ruajtur njëkohësisht jetesën e artizanëve, veçanërisht gjatë pandemisë Covid-19, kur mundësitë e punës u pakësuan ndjeshëm.

Avioni MiG-21, i ekspozuar këtë verë në Muzeun e Fluturimeve në Seattle, do të shitet pas një turi në SHBA. Të ardhurat do të përdoren për të financuar arsimimin e fëmijëve të artizanëve dhe terapinë me art për fëmijët e prekur nga lufta në Ukrainë. “Ky projekt flet për të kaluarën e dhunshme, por është më aktual se kurrë”, thotë Ziman, duke kujtuar se mjetet si Casspir frymëzuan edhe automjetet ushtarake amerikane të përdorura kundër protestuesve gjatë lëvizjes Black Lives Matter. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos