U mbajt në Pogradec Festivali i Koranit i cili përkon me periudhën e pasurimit të liqenit me rasatin e peshkut koran. Edhe për këtë vit sipas Organizatës së Peshkimit, liqeni do të pasurohet me rreth 2 milionë rasatë të rinj, falë kësaj pune disa vjeçare kjo specie e rrallë endemike nuk rrezikon më zhdukjen. Hedhja e rasatit të ri në ujërat e liqenit nis në muajin gusht dhe përmbyllet në Tetor.
Festivali ishte konceptuar edhe si një panair i gatimit të tavave të koranit nga shefat e kuzhinës pogradecare, sipas tyre kërkesa e parë e turistëve dhe pushueseve që vizitojnë qytetin është pikërisht tava e koranit, pavarësisht se ajo gatuhet në disa forma, më e pëlqyer mbetet tradicionalja.
Edhe për vizitorët e huaj, korani mbetet zgjedhja e parë për tu konsumuar, ata shprehen të mahnitur nga recetat që kanë provuar gjatë qëndrimit të tyre në Pogradec.
“Qyteti im i preferuar në Shqipëri është Pogradeci. Ky është udhëtimi ynë i dytë dhe do të qëndrojmë për tre ditë. Nuk e dinim për këtë festival, por është shumë i bukur! Më pëlqen peshku dhe kam provuar disa gatime në restorante të ndryshme. Kuzhinierët janë shumë të mirë punë e shkëlqyer!”, thotë turistja ruse Natalia Volkova.
“Korani natyrisht është një peshk shumë i lehtë, ndaj vlerësohet si nga turistët, sepse edhe kur përgatitet me receta të veçanta mbetet një peshk shumë i tretshëm, prandaj është shumë, shumë i mirë”, thotë turisti italian Onofrio Kampobello.
Gatimet e paraqitura në panair kaluan nën lupën e master chief-it shqiptar Arian Cekaj, ai tha se më shumë se sa të rritet numri i recetave shefat e kuzhinës duhet ti kushtojnë më shumë kohë dhe kujdes recetave që zotërojnë për tavat e koranit. Ndërsa për herë të parë zbuloi një ëmbëlsirë me qumësht gomarice që gatuhet në Pogradec.
Edicioni i dytë i Festivalit të Koranit u përmbyll me çmime vlerësuese për gatimet dhe një koncert muzikor që mblodhi mijëra qytetarë dhe pushues në Odeonin e qytetit. (A2 Televizion)