Qyteti nënujor ku çelin vetëm trëndafila të zinj

Nga A2 CNN
27 Gusht 2025, 12:59 | Lifestyle

Qyteti nënujor ku çelin vetëm trëndafila të zinj

Duke shijuar një drekë me peshk të freskët në një nga restorantet lundruese të Halfetit, vizitorët shpesh mendojnë për jetën e dikurshme në rrugët e vjetra të qytetit, sot të braktisura dhe të fundosura disa metra nën ujë.

Halfeti ndodhet në provincën Şanlıurfa, në juglindje të Turqisë, në brigjet e lumit Eufrat, jo larg burimit të tij. Në vitin 2000, dy qytete dhe 10 fshatra të vegjël u përmbytën plotësisht pas ndërtimit të Digës së Birecikut, 60 metra të lartë dhe 2,5 km të gjerë. Më shumë se 6000 banorë u detyruan të zhvendosen, shkruan A2 CNN.

Qyteti nënujor ku çelin vetëm trëndafila të zinj

Rreth 40% e Halfetit, një qytet me rreth 2600 banorë para ndërtimit të digës, përfundoi nën ujë. Shtëpitë prej guri, dyqanet dhe një pjesë e madhe e xhamisë qendrore Merkez Camii të shekullit XIX u zhdukën përgjithmonë. Megjithatë, zonat në lartësi më të mëdha shpëtuan, dhe sot shumë banorë jetojnë ende në pjesën e mbetur mbi vijën e ujit.

Qyteti nënujor ku çelin vetëm trëndafila të zinj

Diga e Birecikut ishte pjesë e një projekti të madh zhvillimor në rajonin e Anadollit Juglindor. Ajo prodhon rreth 2500 GWh energji elektrike në vit, mjaftueshëm për të furnizuar pothuajse një milion familje, dhe u krijua për të ujitur 70 000 hektarë tokë bujqësore. Por pavarësisht përfitimeve, ndërtimi i saj u prit me keqardhje nga vendasit. “Shumë varreza dhe shtëpi mbetën nën ujë. Kultura humbi bashkë me to”, thotë për CNN Erhan Yildirim, studiues dhe guidë vendase.

Muslum Karaman, operator i anijeve turistike, kujton se dikur Halfeti jetonte kryesisht nga bujqësia dhe blegtoria, qyteti ishte i famshëm për prodhimin e fëstëkëve. “Sot gjithçka është kthyer drejt turizmit. Shumë njerëz i kanë kthyer shtëpitë e tyre në restorante apo kafene”, thotë ai.

Qyteti nënujor ku çelin vetëm trëndafila të zinj

Sot, vizitorët eksplorojnë “qytetin e mbytur” me varka apo motorë uji. Zhytja nën ujë është bërë një tjetër atraksion, sidomos pas vitit 2020, kur kampionia botërore e zhytjes së lirë, Şahika Ercümen, u zhyt këtu për të ndërgjegjësuar botën mbi ndotjen plastike.

Përveç ujërave dhe historisë, Halfeti është i famshëm për “trëndafilat e zinj” që rriten vetëm këtu. Legjenda thotë se askund tjetër në botë nuk lulëzojnë kaq të errët. Në të vërtetë, ekspertët sqarojnë se nuk janë plotësisht të zinj, por një e kuqe shumë e errët që në sy duket pothuajse e zezë, sidomos para se të hapen plotësisht.

Qyteti nënujor ku çelin vetëm trëndafila të zinj

Mendohet se ngjyra unike vjen nga kushtet e veçanta të tokës dhe klimës së Halfetit. Banorët shesin produkte të shumta të përgatitura me trëndafil të zi, nga akulloret dhe çajret, te parfumet dhe sapunët. Madje kompania britanike e parfumeve Penhaligon’s ka krijuar një aromë me emrin “Halfeti”.

Sipas legjendës vendase, një vajzë e bukur me emrin Vartuhi, që kultivonte trëndafilat më të mirë në qytet, u dashurua me një djalë jetim nga ana tjetër e lumit. Dashuria e tyre u ndalua nga gjyshi i saj, arkitekti i xhamisë së qytetit. Zemërthyer, çifti u hodh në Eufrat dhe u mbyt. Që prej asaj dite, trëndafilat e qytetit çelin të zinj, si shenjë e dhimbjes dhe dashurisë tragjike.

Vizitorët mund të bëjnë një udhëtim me varkë drejt Kalasë së Rumkalasë, një fortesë e lashtë që qëndron mbi brigjet e Eufratit. Themelet e saj datojnë që nga Perandoria Bizantine (shek. V–VI), ndërsa më vonë ajo u bë qendra e Kishës Armene në Mesjetë. Më pas, kalaja ra nën sundimin e Mamlukëve dhe më vonë të Perandorisë Osmane.

Qyteti nënujor ku çelin vetëm trëndafila të zinj

Rumkalaja (Kalaja e Romakëve) sot është një dëshmi e historisë së ndërlikuar të rajonit, plot pushtime, fe dhe kultura të ndryshme që kanë lënë gjurmët e tyre.

Në vitin 2013, Halfeti u bë pjesë e rrjetit Cittaslow (“qytetet e qeta”), për angazhimin e tij në ruajtjen e traditave dhe cilësisë së jetës. “Njerëzit e Halfetit ndihen thellësisht të lidhur me historinë dhe kulturën e tyre”, përfundon Yildirim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos