Aktori amerikan gjendet i pajetë në apartamentin e tij në Nju-Jork

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2025, 13:34 | Showbiz

Aktori amerikan gjendet i pajetë në apartamentin e tij në

Aktori amerikan Peter Greene, i njohur për rolet e tij ikonike në filmat “Pulp Fiction” të Quentin Tarantino dhe “The Mask”, është ndarë nga jeta në moshën 60-vjeçare. Lajmi i trishtë u konfirmua nga menaxheri i tij prej më shumë se një dekade, Gregg Edwards, për The New York Post.

Sipas policisë së Nju-Jorkut, Greene u gjet pa shenja jete në apartamentin e tij në zonën Lower East Side, pasditen e së premtes, më 12 dhjetor, rreth orës 15:25. Ai u shpall i vdekur në vendngjarje. Shkaqet e vdekjes nuk janë bërë ende publike, ndërsa autoritetet kanë deklaruar se nuk dyshohet për vepër penale.

Edwards e përshkroi aktorin si “një njeri të jashtëzakonshëm” dhe “një nga aktorët më të mëdhenj të brezit të tij”, duke shtuar se Greene kishte një zemër të madhe dhe një anë të butë që pak njerëz e njihnin. Ai zbuloi gjithashtu se nga apartamenti i aktorit dëgjohej muzikë prej 24 orësh, çka çoi në kryerjen e një kontrolli, përcjell A2 CNN.

Peter Greene ishte i njohur për interpretimin e personazheve negativë dhe shpesh të frikshëm. Një nga rolet e tij më të paharrueshme mbetet ai i Dorian Tyrell në “The Mask” (1994), përkrah Jim Carrey dhe Cameron Diaz, të cilin menaxheri i tij e quajti “ndoshta rolin e tij më të mirë”. Po ashtu, ai interpretoi personazhin Zed në “Pulp Fiction”, një rol që e vulosi si një nga antagonistët më paharrueshëm të kinemasë.

Me rreth 95 role në kinema dhe televizion, karriera e Greene përfshiu prodhime si “The Usual Suspects”, “Training Day”, “Blue Streak” dhe “Clean, Shaven”. Jeta e tij personale nuk ishte e lehtë: ai u largua nga shtëpia në moshën 15-vjeçare, u përball me varësi nga droga dhe kaloi periudha të vështira, përfshirë një tentativë vetëvrasjeje në vitin 1996.

Greene ishte planifikuar të rikthehej në ekran në disa projekte të reja filmike. Ai lë pas një motër dhe një vëlla, ndërsa fansat dhe kolegët po e kujtojnë si një aktor unik dhe të paharrueshëm. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos