Me fillimin e nëntorit, Mariah Carey ka “paralajmëruar” zyrtarisht fillimin e sezonit të Krishtlindjeve.
Këngëtarja e njohur ka postuar një video në llogarinë e saj në Instagram ku shfaqet brenda një blloku të madh akulli, gati për t’u “shkrirë”, pikërisht në kohë për të shënuar dhe nisjen e sezonit festiv të fundvitit.
Ajo thyen akullin me zërin e saj dhe fillon të këndojë këngën klasike të Krishtlindjes: “All I want for Christmas, is you”.
“Ka ardhur koha”, shkruan ajo bashkë me videon e publikuar në mediat sociale.
Madje, ylli legjendar i estradës gjatë kësaj kohe do të jetë në turne me titull “Merry Christmas One And All!”, në qytete të ndryshme të SHBA-së, i cili do të zgjasë nga data 15 nëntor deri më 17 dhjetor.
Kujtojmë se kënga e saj është kthyer prej vitesh tashmë në një “himn” të festave të fundvitit. (A2 Televizion)