Superylli i popit Dua Lipa u pa në stadiumin “Emirates” duke festuar fitoren mbresëlënëse 3-0 të Arsenalit ndaj Real Madridit në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Këngëtarja shqiptare, e shoqëruar nga i fejuari i saj, aktori Callum Turner, u filmua dhe fotografua nga mediat duke buzëqeshur dhe festuar në përfundim të ndeshjes, shkruan A2 CNN.
Fitorja e Arsenalit u vulos nga dy goditje dënimi spektakolare të Declan Rice dhe një gol i Mikel Merinos, duke e çuar ekipin londinez shumë pranë gjysmëfinales. Megjithatë, prania e Dua Lipës në tribunat e Arsenalit ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, duke nxitur konfuzion mes tifozëve të futbollit.
Shumëkujt i kujtohet afeksioni i saj për Liverpool-in, veçanërisht pasi kënga e saj “One Kiss” është kthyer në himn jozyrtar të klubit dhe luhet shpesh në stadiumin “Anfield”. Madje, në vitin 2022 ajo mori një fanellë të personalizuar të Liverpool-it nga legjenda Jamie Carragher.
Kjo ka bërë që disa tifozë të pyesin për besnikërinë e saj. “A nuk ishte Dua Lipa tifoze e Liverpool-it?”, shkroi njëri prej tyre. Një tjetër shtoi: “Pse ishte në Emirates kur është me Liverpool-in?”.
Në një deklaratë të mëparshme, Dua Lipa kishte shpjeguar se është një mbështetëse nderi e Liverpool-it, por edhe se familja e saj – babai dhe vëllai – janë tifozë të Arsenalit, ndaj ajo simpatizon të dy klubet. (A2 Televizion)