Jeff Bezos, themeluesi i Amazon dhe një nga njerëzit më të pasur në botë, ka bërë përsëri bujë – këtë herë jo me ndonjë produkt teknologjik, por me një gjest bujarie ndaj stafit të një hoteli luksoz në Venecia.
Sipas gazetës italiane Il Gazzettino, Bezos i ka lënë një bakshish prej 45,000 eurosh stafit të hotelit me shtatë yje ku qëndroi bashkë me bashkëshorten e tij të re, Lauren Sanchez, menjëherë pas dasmës së tyre.
Edhe pse vetë Bezos nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar këtë informacion, lajmi është bërë objekt diskutimi në qytetin italian, ku qëndrimi i çiftit ka tërhequr vëmendje të madhe.
Bakshishi, ndonëse i lartë për shumicën e njerëzve, përfaqëson një shumë të vogël krahasuar me koston e dasmës së çiftit, e cila raportohet të ketë kushtuar rreth 30 milionë dollarë dhe u zhvillua tre javë më parë me një ceremoni madhështore.
Me xhepa të thellë dhe një jetë luksi, duket se për Jeff Bezos edhe gjestet “modeste” mund të bëjnë përshtypje të madhe. (A2 Televizion)