“Nuk ishim majmunë në shfaqje!” Personi me nanizëm rrëfen çfarë ndodhi në festën e 18-vjetorit të Lamine Yamal

Nga A2 CNN
15 Korrik 2025, 19:53 | Showbiz

“Nuk ishim majmunë në shfaqje!” Personi me nanizëm

Festa madhështore e futbollistit të Barcelonës, Lamine Yamal, për 18-vjetorin e lindjes është vënë nën hetim nga autoritetet spanjolle, mes akuzave për diskriminim dhe përfshirje të grave të përzgjedhura sipas kritereve fizike. Ndërkohë, një nga personat me nanizëm të ftuar si pjesë e argëtimit ka folur publikisht, duke hedhur poshtë çdo pretendim për keqtrajtim apo shkelje të dinjitetit.

Festa me temë “mafia” u mbajt në një vilë private, me të ftuar futbollistët Alejandro Balde, Gavi, Lewandowski, Raphinha, dhe figura të njohura si IShowSpeed, Charles Leclerc dhe këngëtarët Chimbala e Ozuna. Yamal ndau vetëm një minutë pamje nga festa, ndërsa të ftuarve iu ndalua të përdornin telefona apo kamera.

Skandali nisi kur modelja Claudia Calvo, ish-Miss “Teenager Spain”, deklaroi se ishte kontaktuar për të marrë pjesë në festë me pagesë, bashkë me 12 vajza të tjera bionde “me madhësi të caktuar gjoksi”. Ajo tha se u ofruan deri në 20,000 euro për 24 orë prani, por hoqi dorë pasi i dukën kërkesat të dyshimta.

Ndërkohë, Shoqata ADEE (Shoqata e Personave me Akondroplazi dhe Displazi Skeletore) reagoi ashpër, duke dënuar përdorimin e personave me nanizëm si argëtim dhe paralajmëroi padi nëse konstatohet shkelje e ligjit spanjoll për mbrojtjen e dinjitetit të personave me aftësi ndryshe, shkruan A2 CNN.

Por një nga argëtuesit me nanizëm të pranishëm në festë, në një intervistë për RAC1, mbrojti Yamal dhe theksoi: “Askush nuk na ofendoi, na lanë të punonim të qetë. Kemi firmosur marrëveshje konfidencialiteti, por bëmë shfaqje normale: vallëzuam, dhamë shishe, bëmë magji.” Ai kritikoi drejtuesit e ADEE duke shtuar: “Ne nuk jemi majmunë në shfaqe. Duam të punojmë dhe na pengojnë.”

Sipas ligjit spanjoll, çdo shfaqje që përqesh ose nënvlerëson personat me aftësi ndryshe është e ndaluar dhe mund të ndëshkohet me gjoba nga 600,000 deri në 1 milion euro. Deri tani, Lamine Yamal nuk ka bërë asnjë koment publik mbi akuzat apo hetimin në vazhdim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos