Pas fitores në Festivalin e Këngës me këngën “Nân”, këngëtari Alis Kallaci është përballur me akuza në rrjetet sociale se materiali muzikor është i kopjuar. I ftuar në emisionin “Dita Jonë”, Alis i ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të pabazuara.
Këngëtari u shpreh se nuk ka pasur asnjë arsye për të reaguar zyrtarisht apo për të hyrë në replika, pasi sipas tij, këngët janë “nata me ditën” dhe nuk ekziston asnjë lloj shkëmbimi apo frymëzimi mes tyre. “Nuk ka pasur asnjë replikë, sepse nuk ka diçka të tillë. Ishte e panevojshme”, tha Alis.
Ai theksoi se përqafimi masiv i publikut dhe reagimi pozitiv ndaj këngës kanë qenë përgjigjja më e fortë ndaj çdo akuze. Sipas Alisit, zërat për kopjim mund të kenë qenë pjesë e një sulmi të organizuar apo një lloj “antifushate” nga kundërshtarë, por ai ka zgjedhur të mos ndalet te kjo pjesë.
“Nuk jam ulur të mendoj kush e nisi dhe pse. Vendosa të fokusohem te gjërat e rëndësishme: performanca, përgatitja vokale dhe rrugëtimi i këngës”, u shpreh këngëtari, duke shtuar se energjinë e tij e kanalizon vetëm aty ku i shërben.
Alis falënderoi publikun për mbështetjen dhe ritheksoi se “Nân” meriton të mbështetet edhe në garën e Eurovizionit, duke e konsideruar këtë një moment krenarie dhe përgjegjësie të madhe artistike. (A2 Televizion)