Shuhet ikona e muzikës italiane, Ornella Vanoni

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2025, 10:12 | Showbiz

Shuhet ikona e muzikës italiane, Ornella Vanoni

Këngëtarja e njohur italiane Ornella Vanoni ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare në banesën e saj në Milano, qyteti ku lindi më 22 shtator 1934. Vanoni konsiderohet një ndër figurat më të rëndësishme dhe me ndikim të muzikës italiane, me një karrierë të gjatë që nisi në vitin 1956 dhe u trashëgua për gati shtatë dekada.

Gjatë jetës artistike, ajo publikoi mbi njëqind projekte, përfshirë albume, EP dhe përmbledhje, duke arritur më shumë se 55 milionë kopje të shitura. Ornella Vanoni u identifikua me një timbër vokal unik, që i dha mundësinë të interpretonte stile dhe epoka të ndryshme të muzikës italiane. Ndër këngët më të njohura mbetet “Senza fine”, e lindur nga bashkëpunimi artistik dhe sentimental me kantautorin Gino Paoli në fillim të viteve ’60, shkruan A2 CNN.

Gjatë karrierës, Vanoni bashkëpunoi me disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës dhe artit italian, mes tyre Toquinho, Fabrizio De André, Paolo Conte, Ivano Fossati, Lucio Dalla, Mogol, Renato Zero e Riccardo Cocciante. Ajo bashkëpunoi edhe me artistë të rinj, si Pacifico dhe Francesco Gabbani. Ornella Vanoni mori pjesë gjithashtu në tetë edicione të Festivalit të Sanremos, duke mbetur një nga zërat më të dashur të skenës italiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos