Këngëtari i njohur shqiptar me famë ndërkombëtare, Ermal Meta, ka treguar një anë të veçantë të jetës së tij private në një intervistë për "Vanity Fair", duke prekur zemrat e shumë njerëzve.
Përveç vajzës së tij të vogël, Fortuna Marie, lindur në qershor 2024 nga lidhja me partneren e tij Chiara, Ermal Meta ka zbuluar se është baba prej tre vitesh i dy adoleshenteve shqiptare, të cilat deri tani kanë jetuar në një jetimore në Shqipëri. "I kemi njohur kur ishin 15 vjeç, por për shkak se nuk jemi të martuar, nuk mundëm t’i adoptonim. Tani që do të mbushin 18 vjeç, do të vijnë të jetojnë me ne. Për ne, ato janë vajzat tona prej tre vitesh," ka rrëfyer ai.
Meta i ka njohur vajzat përmes punës së tij vullnetare në një jetimore në Shqipëri, ku strehohen vajza me histori të dhimbshme. Lidhja me to u forcua aq shumë, saqë pas pushimeve të përbashkëta, ai kuptoi se nuk mund të jetonte pa to.
Me shumë emocion, këngëtari tregoi se pas largimit të vajzave ndjeu një boshllëk të madh: "Nisa të qaja si fëmijë dhe nuk mund të ndalesha," tha ai.
Sot, vajzat kanë mbaruar shkollën e mesme dhe së shpejti do të bashkohen me familjen e re në Itali, ku i pret shumë dashuri dhe një shtëpi e ngrohtë. (A2 Televizion)