
Pasuria personale e Mbretit Charles është rritur me 30 milionë paund gjatë vitit të fundit, duke arritur në 640 milionë paund dhe duke e bërë atë dy herë më të pasur se nëna e tij, e ndjera Mbretëresha Elizabeth II.
Monarku 76-vjeçar, i cili u ngjit në fron në vitin 2022, renditet në vendin e 238-të në listën e 350 njerëzve dhe familjeve më të pasura në Mbretërinë e Bashkuar, një ngjitje prej 20 vendesh krahasuar me një vit më parë, sipas listës së përvitshme të “The Sunday Times”.
Charles është tashmë 140 milionë paund më i pasur se David dhe Victoria Beckham, të cilët vlerësohen në 500 milionë paund – me Beckhamin që mban titullin e sportistit më të pasur britanik.
Në vitin 2022, pasuria e Mbretëreshës Elizabeth u vlerësua në 370 milionë paund, shkruan A2 CNN. Pasuria e Charles ka kaluar nga 610 në 640 milionë në vitin 2025, duke e çuar diferencën me nënën e tij në 270 milionë paund.
Gjatë dekadave si Princi i Uellsit, Charles përfitoi deri në 23 milionë paund në vit nga Duka i Cornwall-it – pasuri që tani është trashëguar nga djali i tij, Princi William. Kjo pasuri shërbente për shpenzime private dhe zyrtare për veten dhe familjen e tij, shkruan A2 CNN.
Rritja e fundit e pasurisë së Mbretit është kryesisht falë portofolit të investimeve që trashëgoi nga nëna e tij. Pjesë e pasurisë personale janë edhe dy rezidencat private, Sandringham në Norfolk dhe Balmoral në Aberdeenshire.
Sipas “The Sunday Times”, vlerësimi i pasurisë përfshin vetëm asetet personale, duke përjashtuar pasuritë shtetërore si Crown Estate, Duka e Lancasterit dhe Bizhuteritë Mbretërore, të cilat mbahen në emër të kombit.
Interesant është fakti se pasuria e Charles tani është e barabartë me atë të ish-kryeministrit Rishi Sunak dhe bashkëshortes së tij Akshata Murty, të cilëve pasuria u ka rënë me 11 milionë në një vit, nga 651 në 640 milionë paund, pas rënies së vlerës së aksioneve të Murty në kompaninë indiane Infosys.
Lista e vitit 2025 shënon edhe rënien më të madhe të miliarderëve në histori, duke kaluar nga 165 në 156, për shkak të politikave të reja fiskale. Në krye të listës qëndrojnë sërish familja Hinduja me 35.3 miliardë paund, ndjekur nga vëllezërit Reuben dhe sipërmarrësi Sir James Dyson. (A2 Televizion)