Rreth 2 milionë njerëz kanë mbushur plazhin legjendar të Copacabanës për të ndjekur koncertin falas të Lady Gaga-s, mbrëmjen e kaluar në një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të vitit në Brazil.
Koncerti, pjesë e turneut promovues për albumin e saj të tetë, Mayhem, është organizuar dhe financuar nga qyteti i Rios në kuadër të përpjekjeve për të gjallëruar ekonominë vendore. Autoritetet braziliane shpresojnë se ky super-event do të sjellë rreth 100 milionë dollarë në të ardhura për ekonominë lokale.
Fansat e njohur si “Little Monsters” kanë udhëtuar nga çdo cep i Brazilit për të parë nga afër ikonën pop.
Atmosfera e koncertit është përshkruar si elektrizuese dhe plot emocion.
Koncerti ka sjellë edhe një operacion masiv sigurie, me 5,000 oficerë policie, detektorë metalesh, dronë dhe kamera me njohje fytyre për të garantuar rendin.
Lady Gaga ndjek hapat e Madonna-s, e cila gjithashtu mbajti një koncert falas në Copacabana në maj 2024, duke konfirmuar kështu rolin e qytetit si një qendër kryesore për superkoncerte. (A2 Televizion)