Imzot Arjan Dodaj është emëruar nga Papa Françesku si Arqipeshkvi i ri i Arqidioqezës metropolitane Tiranë-Durrës, duke zëvendësuar Imzot George Frendo-n në këtë detyrë. Dodaj bëhet kështu kreu i Kishës Katolike në Shqipëri,
Imzot Dodaj ka lindur në Laç, më 21 janar 1977. Mbas studimeve në qytetin e tij të lindjes, ka emigruar në Itali dhe është vendosur në qytetin Cuneo, ku ka filluar përvojën e punës. Në 1997 ka kërkuar të jetë i pranuar në Vëllazërinë Meshtarake të Bijve të Kryqit, Komuniteti “Shtëpia e Marisë”, me seli në Romë.
Ka ndjekur studimet e filozofisë dhe teologjisë në përgatitje për meshtar, pranë Ateneut Papnor “Regina Apostolorum.”
Është shuguruar meshtar më 11 maj 2003 nga Papa Shën Gjon Pali II në Bazilikën e Shën Pjetrit. Është inkardinuar në Dioqezën e Romës si pjesëtar i Vëllazërisë Meshtarake të Bijve të Kryqit, më pas e aprovuar si Societas Vitae Apostolicae.
Mbas shugurimit Meshtarak ka pasur detyra të ndryshme baritore. Nga 2003 në 2004 ka qenë Zv. Famullitar i Famullisë “Shën Dominiku i Guzman”, në Romë; nga 2004 në 2005, Zv. Rektor i Rektorisë së “Shën Gjoni i Malvës” dhe Kapelan i Komunitetit të shqiptarëve në Romë; nga 2005 në 2017, Zv. Famullitar i Famullisë “Shën Rafaeli Kryengjull”, në Romë.
Në 2017, me konsensusin e Ipeshkvit të tij, Kardinalit Vikar të Shenjtërisë së Tij për Dioqezën e Romës, është dërguar si misionar fidei donum në Arqidioqezën Tiranë-Durrës ku ka këto angazhime baritore: Vikar i Përgjithshëm Dioqezan; Famullitar në Famullinë “Zemra e Papërlyer e Zojës tonë Mbretëreshe”, në Gramëz; Përgjegjës i Baritores Universitare; Zv. Sekretar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë; Sekretar i përgjithshëm i Sinodit Dioqezan. Famullitar i Famullisë “Shën Gjon Pali II”, në Bathore.
Më 9 prill 2020 Papa Françesku e ka emëruar Ipeshkëv Ndihmës të Arqidioqezës Tiranë-Durrës duke i dhënë selinë titullare të Lestronës. Është shuguruar Ipeshkëv më 15 shtator në Katedralen e “ Shën Palit” në Tiranë. Në Konferencën Ipeshkvore të Shqipërisë është President i Komisionit për Ekumenizmin dhe Dialogun Ndërfetar, Përgjegjës Kombëtar për Formimin e Klerit dhe Baritoren Thirrore.
Vendimin për emërimin e Dodajt e mirëpritën krerët më të lartë të shtetit. “Papa Françesku emëron një Arqipeshkv shqiptar të lindur e rritur në Shqipëri, në krye të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës. Urime Arjan Dodaj dhe Zoti qoftë me Ju në këtë mision kaq fisnik”, shkroi kryeministri Rama në Facebook.
“E mirëprita me gëzim lajmin e emërimit nga Papa Françesku të Imzot Arjan Dodaj, në detyrën e rëndësishme, Arqipeshkëv i Arqidioqesës Tiranë-Durrës. Me urimin e përzemërt për punë të mbarë, shpreh bindjen e plotë se Imzot Arjan Dodaj, me dedikimin dhe shërbimin e njohur dhe të vlerësuar ndaj besimtarëve katolikë dhe popullit shqiptar, do ta përmbushë me sukses misionin e ngarkuar me detyrën e re”, ishte reagimi i presidentit Meta. (A2 Televizion)