
Një muze i ri arkivor që do të ndërthurin historinë, faktet e dokumentet me teknologjinë dhe inovacionin, është tanimë gati të marrë jetë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Vetëm pak ditë më parë drejtori i këtij institucioni e ka prezantuar në Tiranë, ndërsa në simpoziumin e muzeve në Stamboll ka marrë edhe konfirmimin e studiuesve.
“Kjo është ideja e ekspozitës së përhershme, por që nuk është subjekti kryesor i kësaj hapësire. Përmban tri pjesë kryesore. E para është dyshemeja, që ka si fabul nga pas themelet mbi të cilat ecim. Me shprehje të shkurtra të personaliteteve shqiptare më të rëndësishme përgjatë historisë, të shkruara në xhamin mbi të cilin mund të ecni”, thotë drejtori i DPA-së Ardit Bido.
Në projektin e prezantuar vetëm pak ditë më parë edhe në Tiranë, parashikohet edhe një sallë kinemaje prej 150 vendesh, duke e kthyer Arkivin në një institucion të kulturës.
“Ideja që qëndron pas tij është se ti vjen në Arkiv, në Muze, ke paguar për këtë, por nuk mjafton kaq për të parë gjërat më të rëndësishme të tij. I pari ishte Kodiku i Beratit dhe e dyta është Deklarata e Pavarësisë, të cilën ne nuk e kemi, por ‘Arkivat kanë çdo gjë’. Ndaj, e vendosëm meqenëse historia e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë është interesante. Ajo është humbur në vitin 1949-n dhe shumica e njerëzve nuk e dinë se si ishte në të vërtetë deklarata sepse pandehin për origjinale një riprodhim të 1937-s, krejt të ndryshëm”, shton Bido.
Në oborrin rrethues të godinës së Arkivës mendohet që të krijohet edhe një hapësirë studimi në natyrë. (A2 Televizion)