
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja, ka kryer mëngjesin e së mërkurës ndërhyrjen kirurgjikale në ligamentin e gjurit, e cila ka shkuar me sukses.
Lajmin e ka bërë të ditur futbollisti me anë të një postimi në rrjetet sociale. “I lumtur të them që kalova sot në mëngjes një operacion të suksesshëm. Koha që të pushoj para se të filloj rrugën time drejt rikuperimit. Faleminderit edhe një herë të gjithëve që më kanë dërguar mesazhe mbështetëse”, shkruan Broja në Instagran, ndërsa bashkëngjitur ka shpërndarë edhe një foto nga klinika.
Armando Broja u dëmtua gjatë ndeshjes miqësore mes Chelsea-t dhe Aston Villa-s në Dubat, ku ekipet u zhvendosën për të zhvilluar një fazë minipërgatitore para rinisjes së sezonit.
Një dëmtim i tillë pritet ta mbajë Armando Brojën për një periudhë 6-7 mujore jashtë fushave të lojës, çka do të thotë mbyllje e sezonit. (A2 Televizion)