
Mbështetësit e Pandeli Majkos nuk ishin aq të shumtë në numër sa t’i jepnin mandatin në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të shkuar, por fati i buzëqeshi me disa muaj vonesë. Pas çdo të keqe është një e mirë, thotë shprehja popullore…
Prangat e SPAK për Alqi Bllakon i hapën Majkos portën e parlamentit për herë të shtatë për t'u ulur si deputet. Që përpara zgjedhjeve parlamentare dy herë kryeministri i socialistëve e kishte të qartë se renditja në pozicionin e 19-të të listës së kandidatëve për deputetë ia rrezikonte fitoren.
“Te vija e zjarrit mund të shikosh edhe greminën. Ju nesër të mund të më ftoni si analist politik dhe jo si një deputet i Kuvendit të Shqipërisë”, deklaronte Majko në “Dita jonë”, më 7 prill të vitit të kaluarhttps://youtu.be/DS5K5LWURzE.
Numërimi i votave nuk solli lajme të mira për të, pasi 8780 votues e kishin zgjedhur si të preferuarin e tyre, 1220 vota larg pragut për kapërcimin e herësit. Fjalët për largimin nga parlamenti zgjodhi t’i thoshte me disa rreshta në Facebook, duke cituar të atin ish-ushtarak: “Siç thoshte edhe im atë, ndjesë pastë, 19-ta kërkon leje për t’u ulur”.
Një tjetër leje duhet t’i japë tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili do të bëjë verifikimin rutinor të formularit të dekriminalizimit dhe më pas t’ia japë zyrtarisht mandatin si deputet i Kuvendit të Shqipërisë edhe në legjislaturën e dhjetë. (A2 Televizion)