Arrestimi i Belerit, Berisha e quan hakmarrje politike të Ramës, kryeministri mohon

Nga A2 CNN
12 Maj 2023, 15:30 | Politikë
Arrestimi i Belerit, Berisha e quan hakmarrje politike të Ramës,

Një hakmarrje të verbër politike! Kështu e konsideroi Sali Berisha arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, pa harruar të nënvizojë se dënon çdo tentativë për shitblerje votash.

“Hakmarrje e pastër politike. Dënoj çdo tentativë për blerje votash. Beleri është personi që është sulmuar më shumë publikisht nga Edi Rama”, pohoi Berisha, ndërsa dha edhe një përgjigje për deklaratën e kandidatit të tij mbi “helenizimin e Himarës”. “Himara ka qenë dhe është shqiptare, por ka komunitete të tjera si greke dhe veneciane”.

Edi Rama, pas një jave fushate me tone të ashpra kundër kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Himarë, ndaj të cilit nuk ka kursyer as epitete ofenduese, dha një reagim institucional në rrjetet sociale. 

Shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar! Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë.

Fredi Beleri është kandidat i koalicionit i propozuar nga PBDNJ, kryetari i së cilës, Vangjel Dule, e konsideroi veprimin e policisë si një pengmarrje. “Ajo që ka ndodhur është përtej absurdes. Një kandidat i “Bashkë Fitojmë” është shoqëruar në kushtet enjë rrëmbimi të mirëfilltë dhe pengmarrjeje. Ka qenë me avokatin e tij në qendër të qytetit dhe është rrëmbyer e është dërguar në Komisariatin e Vlorës”, tha Dule. Edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, reagoi ndaj kësaj ngjarje duke u shprehur se është e motivuar politikisht.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos