
Ministria e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka ka zhvilluar një takim me homologun e saj grek, Nikos Dendias në lidhje me çështjen e shumë përfolur të ditëve të fundit, atë të arrestimit të Fredi Belerit.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ministrja Xhaçka shkruan se, Brukseli ishte një mundësi e mirë për të diskutuar me Dendias në lidhje me çështjen Beleri.
“Ia bëra të qartë z. Dendias që çështjet e drejtësisë nuk duhet të ndikojnë në faqen e re të hapur të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve tona. Kjo nuk është as çështje e burimeve njerëzore, as politike, e lëre më një çështje dypalëshe. Z. Beleri gëzon të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër dhe si çdo qytetar shqiptar nuk është mbi ligjin. Blerja e votës është një shkelje e rëndë në legjislacionin tonë dhe çështja e tij tani është në gjykatë për t'u gjykuar. E vetmja gjë që ne të gjithë mund të bëjmë është të presim me durim që procesi të ecë në rrjedhën e tij dhe të mos paragjykojmë apo hamendësojmë procedimin.”, shkruan Xhaçka në postimin e saj.
Fredi Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë”, në zgjedhjet e 14 majit, u arrestua në minutat e para të 12 majit, për akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje”. Sipas Prokurorisë së Vlorës, Beleri ka dhënë dhe premtuar shuma monetare personave të ndryshëm, me qëllim blerjen e votës.
Akuza ndaj tij u mbështet në disa filmime dhe përgjime mes tij dhe një të infiltruari, të cilit iu premtuan 400 mijë lekë të vjetër për 8 vota. Avokati i Belerit pretendoi se akuzat ndaj klientit të tij janë të montuara dhe të motivuara politikisht. (A2 Televizion)