
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka reaguar pas arrestimit në Shqipëri të miliarderit turk, Faruk Fatih Özer, i cili ndodhej në kërkim ndërkombëtar për mashtrim me kriptomonedhat.
“Arrestimi i shtetasit turk të shumëkërkuar nga Interpoli një tjetër dëshmi e efikasitet gjithnjë e në rritje të policisë kriminale shqiptare. Përgëzime të gjithë oficerëve që morën pjesë në operacion. Tolerancë zero për krimin e organizuar”, lexohet në postimin e Çuçit në Twitter.
Sipas burimeve të A2 CNN, Faruk Fatih Özer është arratisur nga Turqia duke mashtruar dhjetëra mijëra turq, të cilët kishin investuar paratë e tyre në monedhën virtuale turke “Thodex”, ndërsa ai ishte parë të qarkullonte edhe në vendin tonë.
Faruk Fatih Özer u arratis nga Turqia më 20 prill me 108 milionë dollarë. (A2 Televizion)