
Dy mjekë të Spitalit të Traumës në Tiranë dhe një infermiere u arrestuan në flagrancë, për korrupsion. Fillimisht u prangos një mjek reanimator, teksa po i merrte 20 000 lekë të reja një oficeri policie, i cili u paraqit si pacient që kishte nevojë për shërbim mjekësor dhe specifikisht për të kryer procedurën e skanerit.
Operacioni për arrestimin e mjekut Fitim Marku, koleges së tij dhe infermieres, i koduar “Skaneri, u realizua nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, e cila kishte angazhuar disa agjentë të infiltruar si pacientë, pas informacioneve të shumta nga qytetarët se mjekët e Spitalit të Traumës kërkonin rryshfet.
Teksa Prokuroria e Tiranës, përmes një njoftimi për shtyp, thekson se ky aksion, që deri më tani ka si rezultat arrestimin e Markut, me akuzën e korrupsionit, është ende duke vijuar, për të vënë para përgjegjësisë të tjerë mjekë të këtij spitali.
Ndërkaq, vetë autoritetet drejtuese të Spitalit të Traumës, përmes një deklarate, përpos faktit që inkurajojnë drejtësinë, bëjnë me dije se raste të tilla nuk duhet të përkthehen në njollosjen e të gjitha bluzave të bardha, mjekëve dhe infermierëve. (A2 Televizion)