Policia e Shtetit ka zbardhur në një kohë rekord dhe arriti të arrestojë autorin e dyshuar të grabitjes me armë të një argjendarie në qytetin e Elbasanit që ndodhi mëngjesin e së shtunës.
Falë një punë të mirëorganizuar të drejtorive të policisë së disa qyteteve, në kuadër të operacionit "Trajektorja", u bë i mundur arrestimi i 27-vjeçarit, Astrit Thaçi, si i dyshuari kryesor për këtë grabitje të armatosur.
27-vjeçari Thaçi u arrestua mbrëmjen e së shtunës në një lokal në zonën e Kombinatit në Tiranë dhe iu gjetën si provë materiale 17 varëse floriri, dy ora dore floriri, 20 byzylykë floriri dhe 51.700 lekë të reja që dyshohet se i grabiti në argjendarinë e Elbasanit.
Policia bën me dije se 27-vjeçari Astrit Thaçi dyshohet të jetë dhe autori i 8 rasteve të tjera grabitjesh të armatosura, një prej tyre dhe ajo e ndodhur në zonën e Plazhit në Durrës, ku mbeti i plagosur pronari i shtëpisë R.T.
Pas verifikimeve, rezultoi se Astrit Thaçi ka qenë i dënuar më parë në Itali me 7 vjet burg për vjedhje me armë, si dhe ka pasur precedent të theksuar kriminal në Shqipëri, për shpërndarje të narkotikëve dhe në fushën e vjedhjes me dhunë e armë.
Në vijim të operacionit të koduar “Trajektorja”, mbi bazën e provave të siguruara nga Policia e Durrësit, u arrestua dhe 20-vjeçarja A. B. E reja dyshohet se e ka përkrahur Thaçin, duke i dhënë ndihmë për të mos u kapur nga forcat e policisë. (A2 Televizion)