Gazetari sicilian Pino Maniaci, një veteran i luftës ndaj Mafias, hoqi mustaqet që i mbante prej 50 vitesh teksa po jepte live lajmet në televizionin lokal që drejton vetë, pasi kishte premtuar se do ta bënte këtë veprim nëse bosi i Cosa Nostra, Matteo Messina Denaro, do të ishte arrestuar. Teksa prezantonte raportimet dhe kronikat për ngjarjen e madhe, Maniaci kishte thërritur në studio berberin e tij personal dhe live në TV hoqi mustaqet.
Prej më shumë se dy dekadash, Maniaci punonte në televizionin e tij, të quajtur “Telejato”, ku përpiqej të ekspozonte krimet dhe korrupsionin e Cosa Nostra, gjë për të cilën ka rrezikuar edhe jetën, duke i shpëtuar disa atentateve.
“Ata janë fundërrinat e Sicilisë”, thoshte Maniaci në një intervistë për CNN në vitin 2016. Edhe të hënën, teksa jepte lajmin e arrestimit të Denaro-s, buzagaz Maniaci etiketonte në të njëjtën mënyrë Kumbarin e fundit të Mafias.
Pavarësisht se televizioni i tij është tepër modest, sipas raportimeve në Itali, edhe ish-bosi i Mafias, Bernardo Provenzano ndiqte transmetimet për të mësuar se çfarë Maniaci dinte dhe denonconte. (A2 Televizion)