
Një 14-vjeçar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është arrestuar nga policia sepse kishte bërë shumë mungesa. Ngjarja ndodhi në një qytezë të Oklahomas, po mori vëmendje kombëtare pasi mamaja u ankua në media për atë që i kishte ndodhur djalit të saj.
Nxënësi kishte në total 18 mungesa për semestrin e parë, prej tyre vetëm 8 të shoqëruara me raport mjekësor. Por mamaja e tij tha për CNN se pjesa tjetër e mungesave ishin thjesht vajtje me vonesë në shkollë, për shkak të transportit.
Një përfaqësues i shkollës nuk pranoi të komentonte për rastin specifik, por tha se dërgimi i nxënësve në qendrën e ndalimit është pjesë e procedurës së rregullt, edhe pse shkalla e fundit. “Djali kishte bërë katër mungesa brenda katër javësh dhe nuk mundëm të viheshim në kontakt me prindërit, kështu që u detyruam ta dërgonim në qendrën e ndalimit, për t’u tërhequr më pas prej aty prej tyre”, tha Dan Hall, përfaqësues i shkollës. (A2 Televizion)