Kanë kaluar pikërisht 25 vjet nga vrasja më e bujshme në botën e krimit të organizuar.
Ishte 2 dhjetori i vitit 1993 kur në çatinë e një vile në Medellin përfundonte historia gjakatare por edhe tërheqëse e mbretit të narkotrafikut botëror, kolumbiani Pablo Escobar.
Një fund tragjik dhe me kontradikta si e gjithë jeta e Pablos, një çast i përjetësuar edhe nga peneli gjenial i artistit të madh Botero.

Ndër vite, figura e Escobarit ka marr tonalitete mitike që në vend që të shuhen po shtohen dita ditës, edhe falë filmave të shumtë të dedikuar, si seriali Narcos, nga më të njohurit ndërkombëtarisht.
Edhe pse trafiku i kokainës që Escobar dhe karteli i tij dominonte gjeneroi një luftë me autoritetet kolumbiane dhe amerikane që shkaktoi rreth 3000 të vdekur, sërish në imagjinatën e popullit të Medellin ai mbetet një lloj “Robin Hood” që jo rrallë ndihmonte më të varfrit, duke marrë në shkëmbim besnikëri, heshtje dhe admirim.
Për të zbehur mitin e tij, autoritetet e Medellin kanë vendosur të shembin simbolikisht në përvjetorin e vdekjen banesën e tij të fundit, Edificio Monaco, me vite të tëra i paprekshëm nga autoritetet.

Në vend të ndërtesës së braktisur do të ndërtohet një lulishte publike në nderim të viktimave të Pablos. (A2 Televizion)