
Policia Kufitare në Rinas ka vënë në pranga ditën e sotme një shtetas kinez, të cilit i janë gjetur një sasi e madhe parash të padeklaruara si edhe 9 steka paketash cigare pa pullë fiskale.
Policia ka bërë të ditur me anë të një deklarate se shtetasit kinez J. L., 43 vjeç, lindur në Kinë dhe me banim të përkohshëm në Tiranë (me leje qëndrimi), gjatë kontrollit në bagazhin e dorës dhe në trup ju gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 80 mijë euro, 76.000 lekë dhe 2900 jen kinez. Po gjatë kontrollit në bagazhet e dorës ju gjetën edhe 9 steka me paketa cigaresh pa pullë fiskale.
Shtetasi J.L, në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë për veprat penale "Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë" dhe "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë", parashikuar 179/a i Kodit Penal.
Sipas policisë, vetëm gjatë vitit 2018 janë evidentuar dhe goditur 13 raste të mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi. (A2 Televizion)