
Policia ruse ka arrestuar mbrëmë disa bashkëpunëtorë të liderit të opozitës Alexiei Navalny. Sipas mediave ruse, në Moskë agjentët arrestuan zëdhënësen e disidentit, Kira Yarmish dhe Gheorghi Alburov, i cili punon për departamentin hetimor të Fondacionit Navalny Kundër Korrupsionit.
Pati edhe arrestime në zona të tjera të Rusisë, ku mes të arrestuarve ishin Anastasia Panchenko, koordinatore e aktivistëve Navalny në rajonin e Krasnodarit dhe një vullnetare e kundërshtarit në Kaliningrad.
Lideri i opozitës dhe kritiku më i ashpër i Kremlinit, Alexei Navalny, është dënuar me 30 ditë burg për shkelje të dënimit me kusht, në një seancë që injoroi të gjitha thirrjet e vendeve perëndimore për ta liruar atë menjëherë.
Navalny u arrestua pasi u kthye në Moskë, pas qëndrimit për rreth 5 muaj në Gjermani për t’u kuruar nga një helmim me agjent nervor Novichok, për të cilin ai akuzon shërbimet sekrete ruse.
Policia e Moskës ka njoftuar se do të bllokojë tentativat për organizimin e protestave masive kundër arrestimit të kritikut Alexiei Navalny.
"Përpjekjet për të organizuar një protesta publike të paautorizuara si dhe çdo veprim provokues nga ata që marrin pjesë do të konsiderohen si një kërcënim për rendin publik dhe do të shtypen menjëherë", tha policia. (A2 Televizion)