Arrihet në parim marrëveshja për qeverinë në Malin e Zi, Abazoviç do postet kyçe, pjesë dhe koalicioni prorus

Nga A2 CNN
20 Shtator 2022, 07:44 | Ballkani
Arrihet në parim marrëveshja për qeverinë në Malin e

Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, deklaroi se është arritur marrëveshje në parim nga partitë e koalicionit të shumicës për krijimin e qeverisë së re.

Sipas Abazoviç, është rënë dakord, që pikërisht në ditën e përfundimit të afatit, presidentit t’i dërgohet emri i Miodrag Lekicit nga partia Demos për të formuar qeverinë.

Një nga përfaqësuesit e koalicionit të Frontit Demokratik të dalë nga zgjedhjet e 2020, Andrija Mandiç, njofto gjithashtu se partitë kanë rënë dakord që kryetari i Demos, ish-diplomati Lekiç, të ngarkohet me formimin e qeverisë së re.

Mandiç tha gjithashtu se qeveria e ardhshme do të krijohet në bazë të barazisë.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk e shohin Frontin Demokratik si partner sepse ai nuk mbështet vlerat evropiane. Kjo parti u përmend gjithashtu në raportin e fundit të SHBA-së për financimin nga Rusia të partive politike të huaja.

Kryeministri Abazoviç tha të hënën në Uashington se partia e tij kërkon gjysmën e posteve ministrore dhe portofolet e politikës së jashtme dhe sigurisë në një qeveri të ardhshme që të garantohet kursi perëndimor i vendit.

Abazoviç i bëri komentet pas një takimi me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Departamentin e Shtetit, duke iu përgjigjur shqetësimeve, lidhur me përfshirjen e Frontit Demokratik prorus në koalicionin e ardhshëm.

“Sa i takon formimit eventualisht të qeverisë së re në Mal të Zi, ne jemi ata që garantojmë një kurs perëndimor të Malit të Zi”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos