Deputeti i zgjedhur i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i ftuar në emisionin Off the Record nga Andrea Danglli, ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se po fabrikon opozita të rreme për të mbajtur nën kontroll jetën politike në vend.
“Kemi dy opozita që po farkëton Edi Rama, pasi dështoi me partitë e vogla. I patë si përfunduan, çuni i xhajës me çunin e hallës. U katandisën ashtu siç i kishim paralajmëruar,” u shpreh Blushi.
Deputeti i PL nuk kurseu as krahasimet ironike ndaj kryeministrit. “Tani ka shpikur dy opozita, është Pilinçi, qesharak. Pilinçi është Edi Rama. Pa kostumin e kryeministrit, Edi Rama do të ishte një Pilinç. Madje kështu ka hyrë në politikë, si Pilinç me vëth,” tha Blushi.
Ai shtoi se Rama sheh te ky fenomen një pasqyrim të vetes. “Edi Rama sheh te Pilinçi vetveten, ashtu siç do të donte të ishte pa kostumin e kryeministrit. Për më tepër ka shpikur edhe opozitën e Erion Braçes, që del me celular në dorë, sheh çdo fukara dhe e fotografon,” u shpreh ai.
Megjithë akuzat e forta ndaj mazhorancës, Blushi deklaroi se opozita reale është rikthyer në formën e saj të plotë. “Për fat të mirë, opozita e vërtetë është kthyer në shtatin e vet natyral,” tha deputeti i Partisë së Lirisë. (A2 Televizion)