Mbrëmje magjike në “Fadil Vokrri”, Kosova bën historinë me Suedinë dhe ëndërron Botërorin

Nga A2 CNN
8 Shtator 2025, 22:49 | Futboll

Mbrëmje magjike në “Fadil Vokrri”, Kosova bën

Kombëtarja e Kosovës ka shkruar historinë në “Fadil Vokrri”, duke mposhtur Suedinë me rezultatin surprizë 2-0, në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës që shënon fitoren e parë në shtëpi për Dardanët në këtë kompeticion (pas 1 barazimi dhe 8 humbjesh).

Heroi i mbrëmjes u bë Elvis Rexhbeçaj, i cili realizoi golin e parë të Kosovës në përballjet direkte ndaj suedezëve. Pas një topi të gjatë, mesfushori u gjend përballë portierit Robin Olsen: tentativa e parë u ndal, por Rexhbeçaj reagoi i pari dhe shtyu topin në rrjetë për 1-0. Vetëm pak minuta më pas, në minutën e 42-të, ishte Vedat Muriqi që dyfishoi shifrat, pasi u shërbye në mënyrë perfekte nga Albion Rrahmani dhe nuk fali përballë portierit kundërshtar.

Pavarësisht se Suedia dominoi në zotërim topi dhe tentoi shpesh, mbrojtja e organizuar e skuadrës së Franco Fodës nuk lejoi hapësira. Viktor Gyökeres pati një rast të mirë në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë trajneri Jon Dahl Tomasson aktivizoi edhe Alexander Isak, por pa rezultat, shkruan A2 CNN.

Kosova, përveçse u mbrojt me disiplinë, gjeti forca të rrezikonte sërish në kundërsulm. Florent Muslija pati rastin për golin e tretë, por gjuajtja e tij shkoi jashtë. Në minutat e fundit, Dardanët mbetën me një lojtar më pak pas përjashtimit të Lindon Emërllahut me karton të kuq vetëm gjashtë minuta pasi hyri në fushë, por edhe kjo nuk mjaftoi që Suedia të ndryshonte fatin e takimit.

Pas humbjes 4-0 me Zvicrën, kjo fitore e ngjit Kosovën në vendin e dytë të grupit. Për Suedinë, kjo disfatë është një goditje e rëndë, pasi tashmë mbetet pesë pikë prapa liderit dhe jashtë objektivit për kualifikim direkt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos