Italia ka marrë një fitore dramatike 5-4 ndaj Izraelit në Debrecen të Hungarisë, duke ringjallur shpresat për kualifikimin në Botërorin 2026.
Takimi nisi me polemika, pasi një autogol i mundshëm i Dimarco-s u anulua për faull ndaj Donnarummas, por Izraeli arriti gjithsesi avantazhin në minutën e 15-të, kur Locatelli devijoi gabimisht në portën e tij. Mesfushori italian pati rast të shlyente gabimin, por gjuajtja e tij spektakolare u ndal nga traversa. Italia reagoi dhe barazoi me Moise Kean pak para pushimit, pas një pasimi nga Retegui.
Pjesa e dytë solli një “rrebesh” golash: Dor Peretz riktheu avantazhin për Izraelin, por brenda një minute Kean barazoi sërish. Politano e përmbysi rezultatin me një tjetër asist nga Retegui, ndërsa Raspadori i sapofutur shënoi të katërtin për italianët. Megjithatë, Bastoni me një autogol dhe më pas Dor Peretz me kokë e çuan shifrën në 4-4, duke ndezur ndeshjen në minutat e fundit.
Heroi i mbrëmjes ishte Sandro Tonali, i cili me një gjuajtje të saktë në cepin e portës vulosi suksesin 5-4 për skuadrën e Gennaro Gattusos.
Me këtë fitore, Italia arrin dy suksese në dy ndeshjet e para nën drejtimin e trajnerit të ri dhe tashmë ndodhet në pozita të favorshme për të synuar të paktën “play-off”-in. Ndërkohë, Izraeli humb një mundësi të artë, pasi dy herë ishte në avantazh, por nuk arriti të merrte qoftë edhe një pikë. (A2 Televizion)