Arsenali i armëve në Tiranë, “zbërthehet” i penduari: Si vinin armët nga Amerika dhe Mali i Zi?

Nga A2 CNN
19 Prill 2021, 15:08 | Kronikë
Arsenali i armëve në Tiranë, “zbërthehet” i

Pistoleta të trafikuara nga Amerika dhe armë nga Mali i Zi kanë qenë pjesë përbërëse e arsenalit të armëve të gjetur në 20 baza në Tiranë nga operacioni “Kompleks”. Origjina e disa prej armëve që tregtoheshin për llogari të grupeve kriminale në vend është rrëfyer nga i penduari i drejtësisë, Enver Jamaku.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga A2, teksa ka “zbërthyer” para hetuesve skemën se si siguroheshin, modifikoheshin dhe trafikoheshin armët, Jamaku ka treguar për armët që sipas tij, i shpalluri në kërkim, Sokol Xhura, i kishte sjellë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ka pasur edhe 7 armë zjarri pistoleta ‘Glock’, që i ka sjellë nga Amerika. Tre nga këto ja ka shitur shtetasit Akil Kulla. Sokoli këto i sillte nga Amerika pjesë-pjesë. Disa pjesë i sjell me postë, të cilat i priste në emrin e Akil Kullës. Disa pjesë të tjera të pistoletave i ka sjellë të futura brenda automjeteve që sjell nga Amerika”.

Një tjetër vend origjine i armëve, i rrëfyer nga Jamaku ishte Mali i Zi, vend ku siguronte armët Petrit Shera. “Unë kam qenë me shtetasit Akil Kulla dhe Sokol Xhura te shtëpia e Petritit, pasi, do të shikonim disa armë. Aty kam mësuar se Petriti i merrte armët nga Mali i Zi. Atij i sillnin pistoleta të prodhimeve të reja nga Mali i Zi në Shkodër dhe më pas dikush ia sillte atij nga Shkodra”.

Por, sipas Jamakut, Mali i Zi ishte dhe destinacion i armëve të grupit. Në një prej rasteve, i penduari ka treguar se një pushkë dhe një kallashnikov të modifikuar do të dërgoheshin në vendin fqinj. Në të njëjtën dëshmi, Jamaku, ka treguar edhe se disa prej armëve ishin marrë nga uzina e armëve të ushtrisë. Numrat e armëve që shkonin për riparim nga institucionet shtetërorë iu stampoheshin nga një prej të arrestuarve armëve të tjera të ngjashme dhe më pas armët shtetërore shiteshin për llogari të grupit. Dëshmia e Jamakut çoi në pranga 9 persona, shpalli në kërkim disa të tjerë dhe zbuloi bazat e armatimit në Tiranë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos