​Arsenali i armëve të gjetura, Kurti: Panorama e organizimit terrorist në Zveçan është e qartë

Nga A2 CNN
24 Qershor 2023, 17:15 | Kosova
​Arsenali i armëve të gjetura, Kurti: Panorama e organizimit

Pas gjetjes së një sasie të madhe armatimesh në një makinë me targa të Beogradit në komunën e Zveçanit, kryeministri Albin Kurti është shprehur se ky është një tregues i qartë se si Serbia është pozicionuar për përshkallëzim të situatës. Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti thekson se panorama e këtij organizimi terrorist është e qartë, e ndërsa falënderoi Policinë e Shtetit për punën e bërë.

“Vetura me targa të Beogradit, pronë e ndërmarrjes shtetërore të hekurudhave të Serbisë; armatimi i gjetur i gjithi prodhim i Serbisë, ndër to granata të dorës prodhuar në vitin 2021, të tilla që janë përdorur në sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan kundër ushtarëve të KFOR-it; jelekë me mbishkrime të njësiteve ruse, serbe dhe logo e shenja identifikuese të organizatës “Severna Brigada”, si dhe mjete shpërthyese të përdorura më herët nga formacioni ilegal me aktivitete kriminale “Mbrojtja Civile”. Sasia e madhe e armatimit të gjetur tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara. Serbia qartazi është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës. Përveç agresionit që Serbia ka ndërmarrë ndaj Republikës së Kosovës duke rrëmbyer 3 zyrtarë të Policisë së Kosovës brenda territorit tonë në 14 qershor 2023, ajo luftimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës e ka çuar një hap me tutje me organizimin e sulmeve terroriste. Unë i jam falënderues PK-së dhe AKI-së për punën që po bëjnë gjithë këto kohë në ruajten e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë dhe në parandalimin e krimit e terrorizmit në atë pjesë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Policia e Kosova bëri ditur mbrëmjen e së premtes se kishte arritur të zbulojë një sasi të madhe armatimesh në një makinë me targa të Beogradit në Komunën e Zveçanit. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pas aksionit policor tha se është parandaluar një sulm i mundshëm terrorist. Ndërkohë, paraditen e sotme gjatë një konference me gazetarët nga kampi “Belvedere” në Mitrovicë, ai dha më shumë detaje mbi grupet që posedonin armatimet. Ai propozoi që “Civil a zastita” dhe “Crvena brigada”, të shpallen organizata terroriste. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/06/24/armatimet-ne-zvecan-svecla-civil-a-zastita-dhe-crvena-brigada-te-shpallen-organizata-terroriste/

A2 CNN Livestream

Latest Videos