
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Josep Borrell, reagon me shqetësim të madh për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Serbi.
“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm për krizën, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë”, shkruan zyrtari në profilin e tij në Twitter.
Gjatë të enjtes, Borrell takoi veçmas kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, të cilëve u dha detyra të posaçme për zgjidhjen e krizës së rëndë: lirimin e 3 policëve të Kosovës nga Serbia dhe zgjedhje të reja për komunat veriore në Kosovë me pjesëmarrjen e serbëve.
Lidhur me bisedimet Prishtinë-Beograd, kryediplomati i BE-së pritet që të informojë ministrat e jashtëm të Unionit gjatë të hënës. (A2 Televizion)