
Bayern Munchen ka siguruar shërbimet e njërit prej sulmuesve më të mirë në qarkullim, Sadio Mane. Pasi fitoi gjithçka në 6 sezonet e tij me Liverpool, senegalezi ishte në kërkim të një sfide të re dhe u bind nga projekti i klubit bavarez, me të cilin ka nënshkruar për tre sezone.
Ky futbollist karakterizohet nga fakti se nuk rrëmbehet nga suksesi, fama apo paratë, siç ndodh me yjet e tjerë të botës së sportit apo argëtimit, të cilët një pjesë të mirë të pasurisë së tyre e shpërdorojnë.
Mane është krejtësisht ndryshe dhe këtë e vërtetojnë deklaratat e tij: “Për çfarë i dua 10 Ferrari, 20 orë diamanti apo dy aeroplanë? Çfarë do të bëjnë këto sende për mua dhe botën? Unë kam vuajtur urinë dhe kam punuar në ara. Kam kaluar kohë të vështira, kam luajtur futboll zbathur, nuk kam bërë shkollë, por sot, me atë që fitoj falë futbollit, mund të ndihmoj njerëzit e fshatit tim”.
Dhe kjo është pikërisht ajo që ai ka bërë vitet e fundit. Mané ka lindur në Bambali, Sédhiou (Senegal), një fshat i vogël me 2000 banorë, që ndodhet në skajin perëndimor të Afrikës së Veriut dhe të thuash se futbollisti u rrit në varfëri është pak. Fshati i tij, në brigjet e lumit Casamance, është më shumë se 7 orë larg kryeqytetit, nuk ka rrugë të asfaltuara, lopët dhe dhitë enden mes njerëzve dhe shumë gra lindën brenda shtëpive të tyre, sepse qyteti nuk kishte spital ose dikush, si babai i tij, vdiq për shkak të pamundësisë për të marrë kujdesin e duhur mjekësor. Derisa Mané e zgjidhi duke ndërtuar një spital.
Gjithashtu, ka ndërtuar edhe një shkollë, i ka dhënë çdo nxënësi një laptop, ka financuar një pikë të re karburanti, ka ndërtuar një postë, një stadium, ka dhuruar pajisje sportive për të gjithë fëmijët e komunitetit dhe madje ka vendosur një rrjet 4G për të gjithë fshatin. Për të mos përmendur që ai u jep 70 euro në muaj të gjithë njerëzve në një rajon shumë të varfër të Senegalit.
“Nuk kam nevojë të tregoj makina të bukura, shtëpi të bukura, udhëtime apo aeroplanë. Preferoj që njerëzit e mi të marrin pak nga ajo që më ka dhënë mua jeta”, thotë sulmuesi i ri i Bayern Munchen.
Një yll që shkëlqen e ndriçon popullin e tij me shembull dhe që milionat e eurove i çon aty ku duhen më shumë. (A2 Televizion)