Rezultatet e ADN-së kanë zbuluar se arusha që vrau 26-vjeçarin Andrea Papi javën e kaluar në Caldes pranë Bolzanos në veri të Italisë, ka plagosur më parë edhe dy alpinistë.
26-vjeçari u sulmua nga arusha e identifikuar si Jj4 përmes mostrave të ADN-së teksa kishte dal për vrap pranë shtëpisë së tij në rajonin Trentino-Alto Adige të Italisë, ku jetojnë rreth 100 arinj të egër.
Ekspertë të Fondacionit Edmund Mach, i cili studion arinjtë, thanë se ADN-ja nga vendi i ngjarjes dhe nga një shkop që Andrea përdori për t’u mbrojtur është e njëjtë me atë të incidentit të vitit të kaluar kur arusha sulmoi alpinistët Fabio Misseroni, 59 vjeç dhe djalin e tij Christian, 28 vjeç. Ata u shtruan në spital në atë kohë me kafshime të thellë në trup, por fatmirësisht arritën të mbijetonin.
Pas sulmit të vitit të kaluar, autoritetet lokale urdhëruan që ariu të kapej dhe të vritej, por më vonë ky urdhër u anulua nga gjykata. (A2 Televizion)




