Burime për A2 CNN kanë bërë të ditur se biznesmeni italian Edoardo Sarchi ka qenë për gjueti në zonën e Salarisë, aty ku edhe u vra nga një person i identifikuar si Gazmend Braçe, i cili është shpallur në kërkim.
Sipas asaj që A2 CNN mëson, italiani Edoardo Sarchi udhëtonte me automjet bashkë me disa persona të tjerë. Sipas informacioneve paraprake dhe dëshmisë së shoferit, një person u doli përpara makinës dhe ngriti dorën për ta ndaluar dhe në atë moment autori ka hapur zjarr duke qëlluar shtetasin italian.
"Rreth orës 00:30, në fshatin Salari, në vendin e quajtur "Dilan", në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi italian E. S., 44 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes", tha policia, përcjell A2 CNN.
"Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Vlorë, po ushtrojnë kontrolle në zonë dhe ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ëve". (A2 Televizion)