Askush si ai, rekordi i veçantë i futbollistit kongolez

Nga A2 CNN
17 Gusht 2023, 13:50 | Futboll

Historia e Luton Town është si një përrallë. Po flasim për një klub që është kthyer në elitën e futbollit anglez pas 31 vitesh mungesë. Ata ranë nga kategoria e parë në sezonin 1992/1993 dhe jo vetëm që nuk u ngjitën më, por i provuan të gjitha kategoritë e ulta të futbollit anglez.

Klubi nga veriu i Londrës më në fund është rikthyer në elitë dhe fundjavën e kaluar debutoi në Premier League ndaj Brighton. Në këtë ndeshje, ishte në fushë edhe një emër i njohur për tifozët e këtij ekipi. Bëhet fjalë për Pelly-Ruddock Mpanzu, një mesfushor 29-vjeçar nga Kongo, i cili iu bashkua Lutonit në vitin 2013, nga West Ham.

Kur Mpanzu u transferua, Luton luante në National League, kategoria e pestë në Angli ose kategoria e parë amatore. Që nga ajo kohë, mesfushori dhe Luton nuk janë ndarë kurrë, duke bërë që javën e kaluar kongolezi të hynte në histori si futbollisti i parë që ka luajtur në 5 kategoritë e para të Anglisë me të njëjtin ekip.

Edhe pse nuk pati një ndeshje të mirë, pasi Luton humbi 4-1 si dhe vetë ai bëri një gabim të rëndë në golin e tretë të Brighton, Pelly-Ruddock Mpanzu ka shkruar historinë, pas 368 ndeshjeve të luajtura me klubin londinez në National League, League Two, League One, Championship dhe Premier League. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos