Vetëm pak çaste përpara se të hidhte firmën në kontratën me Interin, Kristjan Asllani u përshëndet nga tifozët. Mbështetësit të grumbulluar përpara selisë së klubit zikaltër në rrugën Pinaresi, i treguan emocionet që e presin talentin kuqezi në aventurën e re.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Forca Inter!”, ishin fjalët e para të Asllanit. 20-vjeçari cilësohet si një prej blerjeve më të rëndësishme për të ardhmen e Interit. Pasi shkëlqeu gjatë sezonit të kaluar me Empolin, Asllani cilësohet si pasardhësi ideal i Brozoviç. Ai do të lidhet me zikaltrit deri në vitin 2027, për një operacion me vlerë të përgjithshme 14 milionë euro.

Por, Interi nuk mjaftohet me kaq. Gjigantët e Serie A janë vënë në ndjekje edhe të një tjetër futbollisti të Kombëtares. Bëhet fjalë për mbrojtësin Marash Kumbulla. 22-vjeçari, që nuk ka gjetur shumë hapësirë te Roma e Mourinhos, cilësohet si një alternativë cilësore në rast të largimit të De Vrij apo Shkriniar. Vlera e yllit kuqezi në merkato është të paktën 20 milionë euro.
Tifozët e Interit janë entuziazmuar edhe për Romelu Lukakun. Pas një viti zhgënjyes te Chelsea, sulmuesi është rikthyer në San Siro, aty ku i dhuroi titullin zikaltërve. Nga dritaret e selisë së klubit, Lukaku përshëndeti tifozët, buzëqeshi dhe vendosi dorën në zemër. “Ndihem shumë i lumtur që u ktheva”, ishin fjalët e para të lojtarit, menjëherë sapo shkeli në Milano. (A2 Televizion)