Hachim Mastour, ai që konsiderohej si talenti më i madh i Milanit të viteve të fundit, sapo ka nënshkruar një kontratë me ekipin Renaissance, të kategorisë së dytë marokene.
Kur ishte 14 vjeç, kuqezinjtë paguan 500 000 euro për ta blerë nga Reggianna, sepse cilësohej si “perla” e re e futbollit botëror, duke shkëlqyer në ekipet zinxhir të këtij ekipi.
Në atë kohë, u interesuan për të edhe Real Madrid, Barcelona, City, Juventus dhe Inter.





Por, Milani u tregua më i guximshëm, duke e blerë të riun dhe duke e lejuar të stërvitej me ekipin e parë. Madje, në moshën 15-vjeçare, në sezonin 2013-2014, u grumbullua me skuadrën e parë për një ndeshje ndaj Sassuolos. Por, që nga ajo ditë, gjithçka shkoi keq e më keq.
Milani e dërgoi në huazim te Malaga, që të luante sa më shumë, por në Spanjë nuk luajti. Sezonin pasardhës, Malaga e ktheu Mastourin te Milani, ndërkohë që talenti i ri debutoi me Marokun, në një ndeshje zyrtare ndaj Libisë.
Ekipi i tij i radhës ishte PEC Zwolle, në Holandë, por edhe atje nuk luajti në nivelin që pritej. Për këtë arsye, Milani i prishi kontratën një vit përpara kohe. Mastour përfundoi në Greqi dhe më pas në kategoritë e ulta të futbollit italian (Carpi dhe Reggina), derisa në këtë merkato vere u ble nga një skuadër e kategorisë së dytë të Marokut, Renaissance.
Vetëm 24 vjeç, Hachim Mastour duket se është drejt mbylljes së karrierës tashmë... (A2 Televizion)
