
Institucionet e Kosovës përgënjeshtrojnë se kanë marrë propozime për autonomi të zgjeruar apo Asociacion të Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive. Këtë e bëri presidentja Vjosa Osmani, përpara se të takohet me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Dua ta qartësoj qysh tani që propozimet për të cilat po përflitet për kinse autonomi të zgjeruar apo ndonjë lloj asociacioni me kompetenca ekzekutive, asnjëherë nuk i janë prezantuar palës sonë, pra institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.
“Është e qartë se SHBA-ja nuk dëshiron që veriu i Kosovës të shndërrohet në “Republika Srpska”. Besoj që ju e keni dëgjuar edhe ambasadorin e ri të ShBA-së, edhe Escobar në intervistën e fundit, duke thënë që kërkesa e tij është e kundërta e asaj që e përmendët, që mos të implementohen modele që do ta shndërronin veriun e Kosovës në një “Republika Srpska” të re, pra që nuk kërkohen kompetenca ekzekutive, e as që nuk kërkohet një model që do të shndërronte këtë Asociacion në një nivel të ndërmjetëm apo të tretë të qeverisjes, që do të binte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, shtoi Osmani.
Për kryeministrin Albin Kurti, ky do të jetë takimi i parë me zyrtarin amerikan, Gabriel Escobar: “Sot do të kem takimin e parë me të dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së. Besoj se pas takimit, është më e drejtë dhe më e mirë të japim qëndrimet dhe mendimet tona”.
Ndërkohë, ndër të tjera, Presidentja Osmani fajësoi kryeministrat e kaluar të Kosovës për nënshkrimin e marrëveshjeve të dëmshme, përfshirë atë të asociacionit. (A2 Televizion)