Atentat me eksploziv, hidhet në erë dhe rrafshohet hoteli në Sarandë

Nga A2 CNN
13 Shkurt 2023, 12:37 | Kronikë
Atentat me eksploziv, hidhet në erë dhe rrafshohet hoteli në

Banorë të Sarandës janë zgjuar të tmerruar këtë fillimjave nga shpërthimi i një sasie të konsiderueshme lëndë plasëse e cila ka rrafshuar plotësisht një hotel dykatësh në qendër të qytetit turistik. Shënjestër e këtij atentati me lëndë shpërthyese ka qenë hotel Bizanti, i ndodhur shumë pranë shëtitores së Sarandës, në një zonë mjaft të frekuentuar.

Fatmirësisht, nga kjo ngjarje nuk ka pasur persona të lënduar pasi shpërthimi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Por nuk mund të themi të njëjtën gjë për dëmet materiale të cilat përveç hotelit të rrafshuar, janë të shumta edhe në dhjetëra biznese dhe banesa pranë hotelit e deri në një largësi prej 300 metrash.

Paraprakisht, mësohet se pronari i hotelit ndodhej në një proces gjyqësor me një shtetas grek prej më shumë se 20 vitesh për pronësinë e hotelit, ndërsa në tokën ku ishte ndërtuar ka pasur interes edhe për të zhvilluar ndërtimin e një objekti shumëkatësh.

Pikërisht ky konflikt, dyshohet si një nga pistat e kësaj ngjarjeje, ndërsa policia e Sarandës po ndihmohet edhe nga ekspertë xhenierë për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.

Kamerat e sigurisë, të cilat janë të shumta në zonë, janë një tjetër provë që po shqyrtohet nga policia për të identifikuar autorët e vendosjes së lëndës shpërthyese, të cilët duket se kanë punuar të qetë për disa orë duke vendosur lëndën shpërthyese në mënyrë që efekti i shkatërrimit të ishte maksimal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos