Atentati ndaj Gentian Bejtjas në Larushkë, lihet në burg Valter Bami

Nga A2 CNN
10 Korrik 2023, 10:05 | Kronikë

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg" për Valter Bamin, i cili akuzohet për "armëmbajtje pa leje", pasi iu gjetën gjurmë baruti në duar. Përmes avokatit të tij, Bami e ka mohuar akuzën, duke pretenduar se ka një armë sportive me leje dhe se gjurmët i ka prej saj.

Bami u arrestua pak ditë pas vrasjes së Ramazan Sinës dhe plagosjes së dy fëmijëve të Gentian Bejtjas në Larushk, Krujë. Ai ishte ndër të parët persona që u mor në pyetje pas ngjarjes. Vetë Bami ka mohuar akuzën dhe thotë se gjurmët e barutit në duar i ka nga qitjet me një armë sportive me leje. Gjithashtu, avokati tha se mbrëmjen e ngjarjes, klienti i tij ndodhej në banesë.

Ndonëse u la i lirë, dy ditë më vonë ai u prangos për “armëmbajtje pa leje”, pasi policia gjeti mbetje baruti në duart e tij. Policia informon se gjatë aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë të Valter Bamit janë konstatuar gjurmë baruti, çka ka shtyrë ekspertët të dyshojnë se ka qëlluar me armë zjarri.

Mbi bazën e kësaj ekspertize, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, lëshoi urdhrin e ndalimit për Valter Bamin për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/07/07/vrasja-ne-larushk-policia-i-gjen-barut-ne-duar-valter-bami-mohon-perfshirjen-ne-atentat/
https://a2news.com/2023/07/09/atentati-ne-larushk-valter-bami-gjurmet-e-barutit-i-kam-nga-nje-arme-sportive-me-leje/

A2 CNN Livestream

Latest Videos