
Procesi ndaj të akuzuarve për vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt në vitin 2005, ka mbetur në vend numëro në Gjykatën e Posaçme dhe shkak është bërë i penduari i drejtësisë, Luftar Reçi. Ndonëse deklarimet e tij janë prova kryesore e SPAK, prej disa seancash Reçi nuk vjen të përballet me të pandehurit, fakt që dështoi edhe seancën e së hënës.
Përmes një shkrese dërguar gjykatës Recci kërkonte që të pyetej përmes lidhjes Skype, pasi nuk kishte as mundësi, as fuqi të vinte në gjykatë. “Kam arsye shëndetësore dhe arsye sigurie gjatë vajtjes e ardhjes. Shoqërimi im në gjykatë është si të dërgosh qengjin mes ujqërve”, thuhej në shkresën e Reçit. Pyetja në distancë përmes lidhjes audiovizive u kërkua edhe nga prokurorja e SPAK në seancë, që e justifikoi kërkesën me rrezikshmërinë e transportimit të penduarit nga burgu i Drenovës në Tiranë.
Refuzimi i të penduarit për të qenë prezent në sallën e gjyqit, ngjalli reagim të fortë të avokatëve, që e cilësuan situatën një skenar të prokurorisë, pasi sipas tyre, i penduari ka dhënë dëshmi të gënjeshtërt, e për këtë arsye ka frikë të dëshmojë në gjyq.
Nga kafazi i xhamtë, i pandehuri Emiliano Shullazi, i kërkoi gjykatës të sjellë në gjyq te penduarin. “Që kur jam akuzuar për këto ngjarje, tha Shullazi, kam kërkuar një ballafaqim me Reçin, por SPAK nuk ma ka mundësuar. Luftar Reçi nuk di të përgjigjet, ndaj nuk vjen”.
Pyetja me video-konferencë e Reçit u refuzua nga gjykata, e cila urdhëroi shoqërim me forcë të të penduarit në seancën e radhës, e caktuar në 20 mars. Të pandehur për dy vrasjet e bujshme të vitit 2005 janë marrë Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Rusi, Viktor Ymeri, Emiljano Shullazi dhe Indrit Taulla. (A2 Televizion)