
Pas publikimit të përgjimeve nga Federata Shqiptare e Futbollit, që u publikuan paraditen e sotme, ku sipas saj, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i bën presion anëtarëve të shoqatës për të manipuluar zgjedhjet në FSHF, ka reaguar edhe Partia Demokratike.
Sipas demokratëve, ky përgjim vërteton shantazhin që Veliaj bën karshi figurave të sportit.
“Është tronditëse ndërsa dëgjon se si një kryetar bashkie kërcënon me forcën e SPAK, a thua se kjo është një nga drejtoritë që ai manaxhon. E gjithë arsyeja e sulmeve të tij të ulëta dhe padyshim kriminale bëhet e qartë nga vetë ai. Shqetësimi i Rilindjes është se ende nuk kanë mundur të zaptojnë FSHF-në dhe për këtë ai do të përdorë çdo mjet të paligjshëm për ta zaptuar”, shprehet Partia Demokratike. (A2 Televizion)