Vetingu i noterëve, demokratët debatojnë me qeverinë, më pas mes vetes

Nga A2 CNN
24 Janar 2022, 15:33 | Politikë
Vetingu i noterëve, demokratët debatojnë me qeverinë,

Komisioni i Ligjeve miratoi në parim vetingun e noterëve. Për disa orë, mbledhja e komisionit u shoqërua me debate dhe akuza. Nisma parashikon që konstatimin e kontakteve të papërshtatshme të noterëve ta bëjë Ministri i Drejtësisë, kompetencë e cila nuk u pranua nga demokratët, që i dhanë Ulsi Manjës shembuj nga miqësitë e tij në përgjimet e Prokurorisë.

“Nëse një kandidat ka kontakt të papërshtatshëm me Imer Lalën kalon apo jo?”, u shpreh Bardhi.

Ministri Ulsi Manja u kundërpërgjigj me të njëjtën monedhë, duke i rikujtuar Gazment Bardhit vrasjen në Elbasan para zgjedhjeve parlamentare.

“Në duart e mia s’ka për të pasur gjak qytetarësh të pafajshëm”.

Debati kaloi brenda radhëve të opozitës, kur kryetari i ri i grupit parlamentar të PD-së, Enkelej Alibeaj, shprehu votën kundër, duke caktuar të tjera prioritete.

“Duhet në fillim vetingu i politikanëve, pastaj të tjerat”, u shpreh Alibeaj.

Replika më e fortë ndaj opozitarëve erdhi nga brenda radhëve të veta, përmes zërit të Oerd Bylykbashit, një nga protagonistët e reformës në drejtësi nga ku doli dhe fjala veting.

“Për fat të keq termi i vetingut është kthyer në normalitet. Unë besoj më shumë te voting-u sesa te vetingu, pra te vota e fshehtë e garantuar”.

Nisma mori aprovimin e parë në komision dhe do të shqyrtohet sërish nen për nen, përpara se sa të shkojë për votim në seancë plenare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos